U tha se qeset me ndihma po shkonin në ministri, Lleshaj: O të mjerë…

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat si dhe ministri Sandër Lleshaj kanë reaguar për lajmin që qarkulloi mëngjesin e sotëm sa i takon ndihmave për të prekurit nga tërmeti ku thuhej se qeset me ushqime po shkarkoheshin në ministrinë e Brendshme.

Përmes një sqarimi, SHÇBA bën me dijeni se pakot me ndihma janë prova materiale të sekuestruara në operacionin e datës 28 nëntor , ku u arrestuan në flagrancë 2 punonjës policie, 1 punonjës i Shërbimit Zjarrfikës, si edhe u proceduan penalisht 2 shtetase për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Nga ana e tij ministri Lleshi me një gjuhë të ashpër e quajti lajmin një mashtrim të ulët. Ai sqaroi po ashtu se qeset po dërgoheshin në depon e provave materiale të SHÇBA, ndërsa shtoi se tani ka dy zgjidhje, ose të provohet lajmi i rremë, ose të jepet llogari deri në një para ligjit.

Deklarata e plotë:

SHÇBA – Sqarim

Lidhur me pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale e më pas në disa media online, ku shfaqen punonjës të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) që shkarkojnë disa pako, sqarojmë se: Pakot me ndihma janë prova materiale të sekuestruara në operacionin e datës 28.11.2019, ku u arrestuan në flagrancë 2 punonjës policie, 1 punonjës i Shërbimit Zjarrfikës, si edhe u proceduan penalisht 2 shtetase për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Procedimi i shtetasve të mësipërm u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit. Me urdher te Prokurorise, të gjitha provat materiale të sekuestruara gjatë këtij operacioni janë magazinuar pranë magazinës së Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA-së, ku është mbajtur proces-verbali përkatës. Drejtoria e Pergjithshme e SHÇBA, e cila po heton rastin konkret i ka zyrat në godinën e Ministrisë së Brendshme. SHÇBA apelon mediat të kontaktojne per te marre informacion zyrtar per lajme qe lidhen me Sherbimin, per te shmangur dizinformimin e qellimshem te publikut. SHÇBA fton qytetarët dhe mediat te denoncojne çdo rast abuzimi, duke vene ne dispozicion numrin falas 0800 90 90.

Po kështu ka reaguar edhe ministri Sandër Lleshaj në Facebook:

“Edhe korbat kemi mangut….

Teksa jam në Kurbin, në punë për menaxhimin e gjendjes së rëndë, më njoftojnë se disa pisa pa nder dhe dinjitet kanë publikuar një mashtrim të ulët.

Patjetër që duhet të jenë me shumë përvojë në poshtërsira, përderisa imagjinata perverse e tyre prodhon turpe të tilla.

O të mjerë! Ato qese, që kanë ngazëllyer maninë tuaj perverse, janë prova materiale, që i janë kapur një hajduti si puna juaj dhe nuk po shkojnë në zyrën e Ministrit të Brendshëm, por në depon e provave materiale të SHÇBA, struktura që po kryen hetimin në zbatim të detyrave të prokurorit përgjegjës.

Për këtë turp, tani keni dy rrugë:

Ose të provoni lajmin e rremë, ose të jepni llogari deri në një para ligjit, si mashtrues ordinerë, që shfrytëzoni gjendjen e rëndë për të bërë biznesin e ndyrë me lajme të rreme.
Zgjidhni…..”