Uashingtoni në kontakt të vazhdueshëm me Zelensky, falë telefonit të sigurt satelitor që ia dha SHBA-ja

Shtetet e Bashkuara janë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky përmes një telefoni të sigurt satelitor, që SHBA-ja ia dha qeverisë ukrainase një muaj para se të ndodhte invazioni. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë të mirinformuar me këtë çështje.

Më herët komunikimet e sigurta mes ukrainasve dhe zyrtarëve amerikanë zhvilloheshin përmes ambasadës në Kiev kanë njoftuar dy zyrtarë amerikanë.

Kur Shtetet e Bashkuara po bëheshin gati për evakuimin e ambasadës dhe rritej frika për pushtimin rus që edhe po ndodh tani, SHBA ia dërguan një telefon që tani e përdor Zelensky, transmeton Telegrafi.

Ky telefon i sigurt i mundëson Zelensky të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara. Madje, Zelensky ka bërë të ditur se planifikon të qëndrojë në vendin e tij dhe vazhdimisht është në lëvizje nëpër lokacione të ndryshme në Kiev – që kryesisht janë të mbrojtura nga një numër i madh i njerëzve të besueshëm, shkruan CNN.

Më herët, Zelensky realizonte video-mesazhe ku fliste për më të rejat – e një fjalim i tij u transmetua live në Parlamentin Evropian gjatë ditës së sotme.

Një telefon të ngjashëm satelitor, Shtetet e Bashkuara i kanë siguruar edhe ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba. Ky telefon ka nevojë për energji elektrike, dhe mund të operoj nga gjeneratori apo bateria e një veture.

Në fillim u janë dashur disa ditë ukrainasve që të montojnë telefonin dhe të jetë operacional, pasi që instruksionet për përdorim ishin në gjuhën angleze dhe jo në atë ukrainase.