Ukraina i kundërpërgjigjet Putinit: Do të jetë katastrofë për botën, por neve nuk do të na thyej

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha të dielën se urdhri i liderit rus Vladimir Putin për të vënë në gatishmëri forcat e parandalimit bërthamor ishte një përpjekje për të rritur presionin ndaj delegacionit ukrainas në bisedimet e planifikuara për të hënën.

“Siç e vini re, ky urdhër i Presidentit Putin erdhi menjëherë pasi u bë njoftimi që dy delegacionet janë gati për t’u takuar. Dhe ne e shohim këtë urdhër, si një përpjekje për të bërë presion shtesë mbi delegacionin ukrainas”, tha Kuleba në një konferencë në Kiev.

“Por ne nuk do të dorëzohemi ndaj këtij presion”, tha ai tutje duke shtuar se “ne do t’i qasemi këtyre bisedimeve me një qasje shumë të thjeshtë”.

Kuleba tregoi se zyrtarët ukrainas janë të gatshëm të “dëgjojnë atë që Rusia ka për të thënë”, rapoton CNN, përcjell Demokracia.com

“Ajo që ne jemi gati të diskutojmë është se si të ndalojmë luftën dhe pushtimin e territoreve tona”, tha ministri i jashtëm.

Kuleba tha se vendimi i Putinit për të vënë në gatishmëri të lartë armët e tij bërthamore është një kërcënim i drejtpërdrejtë për ta.

“Unë kam një mesazh shumë të thjeshtë. Do të jetë katastrofë për botën, por neve nuk do të na thyej”.