Ukraina për 30 ditë në gjendje të jashtëzakonshme

Rreth 3 milionë ukrainasve që jetojnë në Rusi iu kërkua largimi i menjëhershëm nga ky vend.

Qeveria në Kiev vlerësoi se ata janë në rrezik ndërsa u bëri thirrje edhe qytetarëve tjerë të saj të mos udhëtojnë për vendin fqinj.

Pos këtyre thirrjeve, Ukraina shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vend për 30 ditë.

Të gjithë rezervistët e moshave nga 18 në 60 vjeç u ftuan t’u bashkohen forcave të rregullta.

Por gjithë ky mobilizim nuk u ofron siguri të plotë përballë ushtrisë ruse.

Prandaj presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kërkon garanci sigurie për vendin tij, pa përcaktuar se nga kush.

“Ne e kuptojmë qartë dhe nuk ka iluzione sepse Ukraina nuk është pjesë e ndonjë aleance sigurie. Por janë ukrainasit ata që po vdesin. Kjo është arsyeja pse Ukraina ka nevojë për të qartë dhe garanci të sakta të sigurisë menjëherë”, deklaroi Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.

Në anën tjetër të botës, ministri i Jashtëm, Dimitri Kuleba alarmoi nga Kombet e Bashkuara se ajo që nisi në Ukrainë mund të tejkalojë kufijtë e shtetit të tij, njofton KlanKosova.tv.

“Nëse një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së arrin të shkelë fjalë për fjalë të gjitha rregullat, edhe të tjerët do të frymëzohen prej tij dhe do të ndjekin modelin e njëjtë”.

Kuleba tha se Ukraina nuk do hezitojë të ushtrojë të drejtën e natyrshme për vetëmbrojtje në përgjigje të sulmeve të armatosura të Rusisë.