Ushtari i KFOR-it i plagosur në Zveçan humb këmbën

Njërit nga ushtarëve të KFOR-it të plagosur në Zveçan në fund të muajit maj, i është amputuar këmba. Sipas autoriteteve hungareze, 2 nga ushtarët e lënduar në Kosovë janë në gjendje më të rëndë, derisa të tjerët janë lëshuar për në shtëpi. Dënim meritor për përgjegjësit, ka kërkuar ministri i mbrotjes Armend Mehaj, i cili ka thënë se për këtë përgjegjës janë grupet kriminale. Teksa njohësit e sigurisë thonë se situata eskaloi deri në atë pikë, për shkak të reagimit të butë që patën ushtarët e KFOR-it në atë rast

Aktet e dhunshme të grupeve kriminale serbe që u panë më 29 maj, rëndë u kushtuan ushtarëve të KFOR-it, në veçanti atyre nga shteti i Hungarisë.

27 prej tyre u plagosën, 2 prej të cilëve më rëndë.

E gjatë së hënës, nga autoritetet hungareze është kumtuar se njërit prej tyre, iu është amputuar këmba.

Mediat hungareze, duke cituar institucionet atje, kanë raportuar se disa nga ushtarët hungarezë të plagosur atë ditë janë lëshuar në shtepi, porse dy nga ta janë ende në gjendje të rënde dhe janë ende duke u trajtuar në spital.

Ministria e Mbrojtjes në Hungari ka thënë se “Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një prej tyre kërkonte një ndërhyrje me amputim të gjymtyrëve, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”.

Keqardhje për këtë ka shprehur ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj i cili ka thënë se përgjegjëse për sulmin ndaj ushtarëve ndaj KFOR-it, janë grupet kriminale të cilat duhet edhe të marrin dënim meritor.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se “Shpreh keqardhjen time me rastin e pranimit të informacionit se ushtarit hungarez të KFOR-it, të lënduar nga ana e grupeve kriminale serbe gjatë protestave në Zveçan, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore është dashur që t’i amputohet këmba nga ana e mjekëve të Institutit Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor në Hungari. Uroj që 26 ushtarët tjerë hungarez të plagosur sa më parë të rikuperohen, e të vazhdojnë angazhimin e tyre në kuadër të misionit të KFOR-it. Grupet kriminale përgjegjëse për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it duhet të marrin dënimin meritor, ngase dhuna është e papranueshme dhe asnjë formë nuk mund të zmbraps ushtrimin e rendit e ligjit, mjeteve demokratike të pakontestueshme, të drejta e të domosdoshme për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Aktet që u panë gjatë së hënes së funditi të muajit majit në Zveçan, sipas njoësit të çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ishin një tregues se nuk bëhej fjalë për një protestë të thjeshtë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë se “Kjo tregon se grupet kriminale në veriun e Kosovës, si dhe grupet e specializuara që kanë hyrë në Kosovë, nga ana e Serbisë ato nuk ishin protesta, por ato ishin veprime të organizuara dhe të sinkronizuara brutale të cilat, i përdorën të gjitha mjetet coftë kundër Policisë së Kosovës, e madje edhe trupave paqëruajtëse të KFOR-it”.
Islami, shton se veprimet e ushtarëve të KFOR-it, kanë qenë të buta, pasi që sipas tij është dashur të përdor më shumë forcë, si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të protestuesve.

Shkrepje armësh, shok bomba, gaz lotësjellës e gjësende të forta, ishin gjuajtur në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, më 29 maj. Këto veprime të dhunshme, ishin në vazhdën e kundërshtimit nga ana e serbëve ndaj kryetarëve shqiptarë të zgjedhur në 4 komuna veriore./Dukagjini