Ushtria amerikane sulmon bazën e ushtrisë siriane

0
573

Mediet shtetërore të Sirisë, të cilat e kanë cituar një burim ushtarak, kanë njoftuar se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka sulmuar me aeroplanë luftarakë një bazë të ushtrisë siriane, duke shkaktuar lëndim të trupave dhe dëme materiale.

Një zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga amerikanët, të cilët po luftojnë në zonën e fundit të ISIS-it, ka thënë se aleatët janë sulmuar paraprakisht dhe thjesht e kanë ushtruar të drejtën e tyre për t’u vetëmbrotjur. Ai ka shtuar se ky incident është duke u hetuar.

Raportohet se dy ushtarë kanë mbetur të lënduar nga ky sulm. Koalicioni i forcave amerikane dhe aleatëve tjerë është duke i mbështetur Forcat Demokratike të Sirisë, të cilat janë të përbëra nga disa grupe dhe të cilat udhëhiqen nga kurdët.

Shteti Islamik tashmë i ka nën kontroll vetëm disa fshatra të Sirisë pasi e ka humbur shumicën e territorit gjatë vitit 2017 nga dy ushtritë rivale, Forcat Demokratike të Sirisë, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, dhe ushtria siriane, e mbështetur nga forcat ruse.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur kontakte ushtarake me qëllim të shmangies së konflikteve të paplanifikuara mes dy ushtrive që luftojnë kundër Shtetit Islamik. Megjithatë, disa përleshje kanë ndodhur në të kaluarën, shkruan “Reuters”.