Vasfije Krasniqi fiton çmimin “Kim Bok-Dong” për paqe

Vasfije Krasniqi Goodman, aktiviste e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës-QKRMT, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është fituese e Çmimit Kim Bok-dong për paqe.

Këshilli Korean për Drejtësinë dhe Përkujtimin për Çështjen e Skllavërisë Seksuale Ushtarake nga Japonia (Këshilli Korean) ka zgjedhur Vasfijen për këtë çmim për vitin 2019.

Ky çmim nderon individët apo organizatat që kanë qenë të angazhuar në lëvizje për të zgjidhur çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës dhe për të siguruar të drejtat e njeriut të grave në konfliktet e armatosura anembanë botës.

Kujtojmë që, Vasfija ishte personi i parë që ndau publikisht historinë dhe traumën e saj të dhunës seksuale që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë. Më pastaj u bë zëi fuqishëm i fushatës ‘Bëhu Zëri Im’ – në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, dhe përpjekjet e palodhshme të saj në luftimin e stigmatizimit që rrethon këtë kategori shoqërore.

Pos që ka përfaqësuar zërin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, nga koha e luftës në Kosovë, nëpër shumë konferenca, forume dhe simpoziume ndërkombëtare, Vasfija ka dhënë dëshmitë e saj edhe para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, dhe së fundmi para Kongresit Amerikan.