Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Trupi gjykues do të dalë përpara ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po akuzohen për krime lufte në Kosovë.

Akoma nuk është bërë e ditur nëse seanca e sotme do të jetë e hapur apo e mbyllur për publikun.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Rexhepi akuzohen,për veprat: përndjekje, burgim, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara të tyre janë kryer nga muaji mars i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në disa zona në Kosovë dhe në disa në veri të Shqipërisë.

Prokuroria pretendon se shumica e viktimave të të akuzuarve – rreth 100 syresh – janë shqiptarë, porse ka edhe serbë dhe romë të Kosovës.

Gjyqi ndaj Thaçit dhe tre të të akuzuarve të tjerë është rasti i profilit më të lartë në Gjykatën Speciale, që lidhet me luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.

Deri më tani, kjo gjykatë ka dënuar me 26 vjet burgim ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, ndërsa me nga katër vjet e tre muaj i ka dënuar dy anëtarët e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët janë gjykuar për nxjerrjen e emrave të dëshmitarëve në raste të tjera.