Vdekja në Shqipëri e 3 anëtarëve të familjes Haliti nga Gjilani, procedohen penalisht 2 mjekë

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në familjen Haliti nga Gjilani, tre anëtarët e së cilës (nëna dhe djali me bashkëshorten) kanë vdekur sot në Shqipëri.

Dyshohet se shtatasit nga Gjilani kanë mbledhur kërpurdha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë policia ka proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm” 2 shtetas.

Janë proceduar penalisht shtetasit me iniciale B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qëndrën shëndetësore Manëz.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qëndrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe ( famijarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpurdha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Djali i çiftit Afrim dhe Ferdinaze Haliti, Haki Haliti ka treguar për Top Channel se varrimi i prindërve dhe gjyshes do të bëhet gjatë së dielës, në kohën e faljes së namazit të Ikindies në 16 e 30. Ai gjithashtu ka njoftuar se në ora 11 do të flasin para mediave tek shtëpia e tyre në Gjilan për të treguar gjithë çfarë dinë për rastin.