Moti në Kosovë

Mëngjesi i së hënës në Prishtinë ka filluar me të ftohtë, madje për pak kohë është parë edhe bora në qendër të qytetit. Ashtu siç ishte parashikuar, netët e fundit janë të ftohta ndërsa mëngjeset e mbrëmjet janë me ngrica.

Masat e ftohta të ajrit me origjinë polare të cilat kanë përfshirë Gadishullin e Ballkanit, do të jenë prezent pothuaj gjatë gjithë këtyre pesë ditëve të ardhshme.

Dita e sotme do të vijojë me mot kryesisht të vranët, por stabil. Gjatë orëve të pas ditës vranësirat do të intensifikohen dhe si pasojë do të ketë rënie në fushat termike.

Këto kushte të krijuara meteorologjike do të mundësojnë që mbi të gjithë territorin e vendit sonte në mbrëmje dhe nesër të fillojnë reshjet e shiut e më pas edhe reshjet e para të borës edhe në viset e ulëta, të intensitetit të dobët deri mesatar.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -4 deri -1 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-7 gradë celsius.

Kushtet biometeorologjike nuk do të jenë të favorshme për persona me sëmundje kronike, ndërsa ngasësve të automjeteve kujdes, pasi që rrugët në orët e para të ditës dhe gjatë natës do të jenë të rrëshqitshme për shkak të ngricave.

Do të fryjë erë nga juglindja dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-11m/s.