Vdes edhe një tjetër mjek nga koronavirusi në Kosovë

Doktori i njohur nga qyteti i Ferizajt, Afrim Tasholli ka vdekur sot në moshën 54 vjeçare pasi ishte i infektuar me koronavirus, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmi është bërë i ditur nga Oda e Mjekëve të Kosovës, ku për më tepër thuhet se Tasholli ka qenë specialist i anesteziologjisë me mjekim intensiv në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj.

Po ashtu, ai dha kontribut në edukimin e brezave të ri në shkollën e mjekësisë “Elena Gjika”.

Njoftimi i plotë:

Humb betejën me koronavirusin në moshën 54 vjeçare mjeku nga Ferizaji.

Ndahet nga jeta Dr. Afrim Tasholli.

Dr. Tasholli ka qenë specialist i anesteziologjisë me mjekim intenziv, i cili i ka shërbyer shëndetësisë primare në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj. Kontribut të veçantë dha edhe në edukimin e brezave të ri me angazhim në shkollën mesme të mjekësisë “Elena Gjika”.

Oda e Mjekëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij.