Vdes ish-ushtari i UÇK-së, Musa Dërguti

Në moshën 68 vjeçare ka ndërruar jetë veterani i UÇK-së, Musa Derguti, nga Skenderaj.

Derguti kishte shërbyer si mësimdhënës për 40 vjet rresht në shkollën fillore “Shaban Jashari” në Skenderaj, në të cilën për 12 vjet ishte edhe drejtor.

Njoftimin për ndarjen nga jeta të Dërguti e ka bërë kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari.

Postimi i plotë i Bekim Jasharit:

Me pikëlloi pa masë lajmi për ndarjen nga jeta të luftëtarit të ditëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarit dhe atdhetarit tonë Musa Derguti.

Musa Derguti ishte zv/komandant i Batalionit të Parë të Zonës së Drenicës, luftëtar i dalluar dhe shembull për ushtarët tjerë.

Nga viti 2000 deri në vitin 2011, ishte drejtor i shkollës fillore “Shaban Jashari”, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm në udhëheqjen dhe ngritjen e cilësisë në këtë shkollë, duke nxjerrë gjeneratat më të përgatitura që sot kontribuojnë në ndërtimin dhe zhvillimin e komunës dhe shtetit tonë.

Pas vitit 2011 punoi si drejtor në Bibliotekën e qytetit tonë, duke iu shërbyer fëmijëve dhe të rinjve me përkushtim maksimal.

Largimi i tij nga kjo botë është humbje e madhe për komunën tonë, bashkëpunëtorët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën.