Vdes nga leukemia gruaja që qepte uniforma për UÇK-në

0
346

Pas rreth një viti përballje me sëmundjen e Leukemisë Myelofibroze, 61 vjeçarja Serbeze Dança, nga Peja ka vdekur.

Lajmin e ka konfirmuar djali i saj, Yll Dança. Ai ka bërë të ditur se me gjithë lutjet e vazhdueshme, ata nuk morën asnjëherë ndihmë nga shteti për trajtimin e sëmundjes së nënës së tij.

“Trajtimin na e kemi bë vetë, diku po e diku jo, veç prej shtetit jo, s’ka pas kurrgjë hiç. Sa herë i kemi kontaktuar na kanë thanë, merre ketë numër, kontaktoi, jo nuk di…,kurrgjë hiç në fund…

Qytetarë e shoqëri po, a institucionet nuk na kanë ndihmuar valla, unë kam takuar këshilltarët e ministrit e krejt, po jo nuk na kanë ndihmuar”, tha ai.

Ndryshe, Serbeze Dança ka qepur rrobat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për “Brigadën 111” gjatë kohës së luftës së fundit në vend.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës kishte formuar një komision prej tre mjekëve të cilët kishin rekomanduar se pacientja nuk mund të trajtohet aty për shkak të mungesës së barnave. Prandaj, ajo është referuar për trajtim jashtë Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Humbja e kohës është humbje për nënën time”, thoshte Ylli në mars të vitit të kaluar.

Pas nëntë muajve, nëna e tij ka vdekur për shkak se nuk arriti të siguronte mjetet e nevojshme financiare për shërim.

Serbeze Dança do të varroset nesër ndërsa e pamja do mbahet tri ditë.