Vdes personi që u plagos në Kryshec të Pejës

Ka vdekur njëri nga personat i cili ishte plagosur para disa ditësh në fshatin Kryshec të Pejës.

Viktima është 41 vjeçari I.G.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, njofton policia përcjell Fokusi.info.

“Sot me datë 05.07.22 rreth orës 12:00 Policia është njoftuar nga Qendra Klinike Universitare në Prishtinë se viktima I.G. 1981 ka ndërruar jetë. Në konsultim me Prokurorin e shtetit rasti nga Vrasje në tentativë është ri kualifikuar në Vrasje të rëndë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës me urdhër të Prokurorit të shtetit është dërguar në Institutin e mjekësisë ligjore (IML) për obduksion. Rasti është duke u hetuar nga sektori rajonal i hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë”.

Të mërkurën e kaluar në fshatin Kryshec, rreth orës 20:53 policia kishte marrë informacion për të shtëna me armë zjarri, ku ishin plagosur dy persona.

Policia kishte arritur që ta arrestojë të dyshuarin lidhur me këtë rast, J.G, 45 vjeç.

Ai ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Më datë 28.06.2022, rreth orës 20:53, Policia e Kosovës është informuar për të shtëna me armë zjarri, në afërsi të një lokali në fshatin Kryshec/Pejë. Policia menjëherë i është përgjigjur vendit të ngjarjes, dhe është kuptuar se dy (2) persona kanë pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit. Viktimat fillimisht janë dërguar në Spitalin rajonal të Pejës, e më pas viktima I.G. 1981 është dërguar në Qendrën Klinike Universitare ne Prishtinë pasi që kishte lëndime të rënda trupore. Ndërsa viktima tjetër F. G. 1992 ishte lënduar lehtë dhe pas tretmanit mjekësorë është liruar në shtëpi. Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, dhe pas një pune intensive operative dhe hetimore është arritur të identifikohet dhe arrestohet i dyshuari J.G. (1977). Pas intervistimit të tij me urdhër të Prokurorit të shtetit të dyshuarit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh”.