Vdes profesori i Universitetit të Prishtinës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njoftoi sonte se ka ndërruar jetë profesori i ekonomisë, Isak Mustafa.

Në një postim në Facebook, kreu i LDK-së duke ngushëlluar familjen, tha se prof Isak Mustafa ishte punëtor i pashoq dhe plotë energji.

“Me dhembje te thellë kuptova lajmin se sot u nda nga jeta prof. dr. Isak Mustafa. Prof. Isaku më mbetet në kujtim të thellë si profesor i përkushtuar i ekonomisë sa isha student në Fakultetin Ekonomik; një kohë asistent i tij, një mbështetës i fuqishëm i shumē kuadrove që dolën nga ky fakultet, punëtor i pashoq dhe plotë energji, autor i shumë studimeve dhe teksteve universitare.

Familjes Mustafa, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të prof. Isakut u shpreh ngushëllime të thella! IM”, thuhet në mesazhin e Mustafës.