Veliu për vrasjen e 35 vjeçares: Të dorëhiqet Albulena Haxhiu

Një vrasje e rëndë ka ndodhur mbrëmë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

E vrarë ka mbetur një grua e moshës 35-vjeç, bashkë me foshnjën të cilën priste ta linde.

Hamide Magashi, shtatzënë në javën e 41, e cila priste ta sillte në jetë një foshnje sot, u vra nga ish-bashkëshorti, respektivisht babai i fëmijës, Sokol Halili, shkruan Front Online.

Magashi kishte urdhër mbrojtje në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, duke filluar nga 13 shtatori i këtij viti deri më 13 mars të 2023-s.

Për vrasjen makabër që ka ndodhur ka pasur reagime të shumta.

Derisa nga pushteti kanë paralajmëruar shkarkime e dorëheqje, të hallkës së sistemit të drejtësisë, nga opozita po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Agim Veliu: Institucionet janë në kolaps, duhet të zgjohen

Lidhur me rastin e djeshëm ku Front Online raportoi i pari, ka folur ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Ai deklarimet e kryeministri Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu lidhur me rastin po i cilëson deklarata të kota.

Sipas tij, derisa ministrja Haxhiu paralajmëron dorëheqje e shkarkime, është më mirë të merr vet përgjegjësi për këto raste.

“Ajo që deklaroi kryeministri që janë dy persona më pak, janë deklarata pa lidhje që janë pa rend e pa vend edhe ministrja e Drejtësisë e cila po paralajmëron se do të ketë dorëheqje e shkarkime ajo duhet me marrë përgjegjësi në radhë të parë vet e po ashtu edhe kryeministri edhe ushtruesja e detyrës së QKUK-së e cila kishte thënë në një deklaratë që kjo është diçka tronditëse dhe mezi po shkruaj, d.m.th., deklarata shumë të papërgjegjshme e pa lidhje e pa vend”, është shprehur Veliu, për Front Online.

Veliu, ka theksuar se sistemi në përgjithësi nga kjo qeveri është në kolaps.

“Kështu që është koha me reflektua edhe secili me marrë përgjegjësitë e veta. Po shihet që sistemi në përgjithësi institucionet janë në një farë kolapsi edhe duhet zgjim. Duhet secili me i kry punët dhe detyrat e veta në bazë të përgjegjësive që i ka”, është shprehur Veliu, për Front Online.

Që nga momenti i kryerjes së veprës i dyshuari Sokol Halili gjendet në arrati.

Policia e Kosovës derisa është në kërkim të dyshuarit sot ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve në mënyrë që të arrihet deri në gjetjen e tij.

Kurse, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas vrasjes makabre të gruas shtatzënë në Prishtinë, për të cilën Front Online ka raportuar i pari mbrëmë.

Ai thotë se ka kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim maksimal për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili.

Sveçla njofton se ka kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër.

Po ashtu, ka kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës.