Vendimi për pagat, nuk preken ato të sistemit të drejtësisë

Me vendimin e sotëm të qeverisë për shfuqizim të vendimit për paga nuk janë prekur pagat edhe për sistemin e drejtësisë.

Qeveria në krye me Albin Kurtin ka miratuar sot në mbledhjen e dytë, shfuqizimin e vendimit për rritjen e pagave që e kishte marrë qeveria e kaluar në krye me Ramush Haradinajn, në dhjetor të vitit 2017-të.

“Pagat kthehen me rregullimin e mëhershëm. Ky vendim nuk ka efekt në Gjykatën Kushtetuese e as në sistemin juridik”, ka deklaruar sot kryeministri Kurti.

Në vendimin e 20 dhjetorit 2017, Qeveria Haradinaj kishte vendosur për rritje të pagave për 100 për qind. Kryeministrit Haradinaj nga 1500 euro paga i ishte bërë 2950 euro.

Sipas Ligjit për Gjykatat paga e kryeministrit dhe e zyrtarëve të tjerë në kabinetin qeveritar është ekuivalente me pagat në sektorin e drejtësisë. Kjo kishte bërë që pagat, pos Haradinajt dhe kabinetit të tij, ishin rritur edhe në këtë sektor. Më vonë ishte votuar Ligji për paga që parashihte rregullimin edhe të pagave të kabinetit qeveritar.

Ligji për pagat parashihte zvogëlimin e pagave edhe për kryeministrin, por ky ligj është pezulluar deri në mars pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.