Veseli pranë arbëreshëve të Kalabrisë në Ditën e Flamurit

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, dhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se në ditën e flamurit kombëtar të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë po luten për shpirtrat e vëllezërve e motrave që humbën jetën në Shqipëri si pasojë e tërmetit, shkruan Fokusi.info.

Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se të bashkuar në solidaritet si rrallëherë, shqiptarët do ia dalin ta kapërcejnë këtë katastrofë dhe të rikthejmë normalitetin për të gjithë qytetarët e prekur.

Shkrimi i plotë i Veselit:

Këtë ditë të shënuar të Festës së Flamurit e kalova në mesin e arbëreshëve të Kalabrisë ku edhe i ka rrënjët Rilindja jonë Kombëtare. Së bashku me ta u lutëm për shpirtrat e vëllezërve e motrave që humbën jetën në Shqipëri si pasojë e tërmetit dhe uruam që të lënduarit të shërohen sa më shpejt. Ajo ngjarje e tmerrshme ka tronditur e prekur zemrat e të gjithë shqiptarëve, kudo ku jetojnë. Po ashtu, të bashkuar në solidaritet si rrallëherë ne shqiptarët do ia dalim ta kapërcejmë këtë katastrofë dhe të rikthejmë normalitetin për të gjithë qytetarët e prekur. Zoti ndihmoftë dhe bekoftë kombin shqiptar në këto kohë të vështira./Fokusi.info/