Veseli: Punësimet partiake, shkak i ikjes së qytetarëve nga vendi

Kështu është thënë në konferencën e organizuar për fazën e dytë të projektit të Rekrutimit të financuar nga Ambasada Britanike “Forcimi i Qeverisjes së Mirë, Transparencës dhe Përgjegjshmërisë së Institucioneve të Kosovës”, për pozitat e larta drejtuese brenda shërbimit civil dhe institucioneve të pavarura.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se situata nuk është e mirë në këtë drejtim.

“Situatën nuk e kemi shumë mirë tek emërimet, pasi që besimi i qytetarëve nuk është i duhur. Kur nuk po e kemi besimin e qytetarëve, kemi prirje që ata të largohen nga Kosova, e kjo nuk na duhet si Kosovë. Ky projekt ka qenë 3 vite, ka pasur disa rezultate. Por nëse flasim për besimin e qytetarëve, shihet se ka rënie të besimit të qytetarëve në ndërmarrje publike, por edhe në institucione. Duhet të jemi më të përgjegjshëm vet pasi ne mund ta fitojmë besimin e qytetarëve. Partia ime ka disa vite që është në pushtet, por duhet të ndalet kjo praktikë që të punësohen ata që janë të afërt me partinë. I ftoj mediat, shoqërinë civile që të raportojnë të gjitha rastet. Mbrojeni ligjin jepuni mundësi njerëzve të barabarta”, tha ai.

Veseli ka thënë se Ndërmarrjet publike duhet të jenë të përfshira edhe më shumë në këtë proces të mbikëqyrjes. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partneriteti me Ambasadën Britanike ka ndihmuar që të kthehet besimi në emërimet e larta.

“Sot po e shënojmë vitin e tretë të partneritetit me britanikët. Ambasada na ka ndihmuar në kthimin e besimit. Por duhet ta pranojmë që kemi lëshime dhe dëme me të cilat duhet të përballemi. Deri tani janë gjithsej 44 pozita të larta drejtuese që janë mbikëqyrur. Jemi me fat që ekspertizën britanike shumëvjeçare e kemi dhuratë”, u shpreh ai.

Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, ka thënë se këtë vit ka kthim mbrapa sa i përket emërimeve në pozita të larta.

“Vitin e kaluar pata thënë se projekti po vazhdon më mirë se sa e kemi pritur. Për fat të keq ketë vit nuk mund të konfirmojë këtë gjë, fatkeqësisht kemi kthim prapa. Kemi raportime shqetësuese. Suksesi i këtij projekti është sukses projekt i Kosovës, siç edhe dështimi i këtij projekti është i Kosovë. Për fat të keq edhe këtë vit kemi emërim të kandidatëve pa meritë, siç është rasti i emërimit të drejtorit të pronës. Një rast i Enis Berishaj i cili deri tash ka aplikuar në disa pozita, ka marrë pikët më të larta por asnjëherë nuk është emëruar. Një qasje e tillë që penalizon profesionalizmin në favor të nepotizmit po shkatërron institucionet, siç po shohim të gjithë në rastin e postës”, tha ai./KosovaPress