ShBA-ja dërgon trupa shtesë në Lindje të Mesme pas sulmit ndaj ambasadës në Irak

Duke e akuzuar Iranin për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Irak, kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, ka urdhëruar që 750 ushtarë të dërgohen si përforcim në Lindje të Mesme, ndërsa në ditët e ardhshme në këtë rajon mund të dërgohen edhe 3000 trupa shtesë.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, tha të martën në mbrëmje se si reagim ndaj ngjarjeve të fundit dhe me udhëzimin e presidentit Trump, ai ka dhënë autorizim për dërgimin e menjëherëshëm të 750 trupave në Lindje të Mesme nga baza e Karolinës Veriore.

“Ky përforcim është një veprim i duhur dhe parandalues ndaj rritjes së kërcënimeve kundër personelit amerikan, siç e pamë sot në Bagdad”, tha sekretari Esper përmes një deklarate me shkrim.

Trupat shtesë do t’i bashkohen grupit prej 14 mijë ushtarëve amerikanë që janë dërguar në Lindje të Mesme vetëm nga muaji maj. Këto përforcime janë dërguar për shkak të shqetësimeve për agresionin nga Irani dhe rrezikuk me të cilin po ballafaqohen anijet tregtare.

Ndryshe, forcat amerikane kryen sulme ajrore kundër militantëve të përkrahur nga Irani në Irak, me ç’rast u vranë 25 persona. Ky veprim shkaktoi pakënaqësi të madhe dhe ndikoi që ambasada amerikane në Bagdad të sulmohet nga një grup i protestuesve, shkruan “Associated Press”, transmeton Gazeta Express.