Veseli reagon pas deklaratës së Grenell, shprehet i tronditur se Kryeministri po jep informacione të rrejshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pasi i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e demantoi sot Zyrën e Kryeministrit për bisedën e Albin Kurtit me Shtëpinë e Bardhë, ditë më parë.

Grenell sot hodhi poshtë deklaratën e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën thuhej se ai është marrë vesh në një bisedë telefonike me Grenellin që ndihma nga SHBA’ja nuk do të ndalet dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne i kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe pjesshëm është duke dëmtuar ekonominë e Kosovës – dhe SHBA’ja nuk do të çojë dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, ka thënë sot Grenell.

Ndërkaq, Veseli është shprehur i “tronditur” se “kryeministri i Kosovës po jep informacione të rrejshme për seriozitetin e paralajmërimeve amerikane”.

“PDK’ja e çmon punën e ambasadorit Richard Grenell për arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë, dhe mbështetë përpjekjet amerikane për paqe në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij, në rrjetin social Twitter.