Veseli: Zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit tha se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

Në një konferencë për media, Veseli tha se PDK-ja është e gatshme për zgjedhje.

“Vendimi i ish-kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe si të tillë e kemi pranuar, pavarësisht se për këtë nuk pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake. Tashmë, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK është e gatshme për zgjedhje kurdo që të caktohen ato. Ajo që mund të diskutohet është vetëm koha kur duhet të mbahen”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së tha se lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve duhet të ketë konsultime mes partive politike.

“Për këtë besoj se do të kemi konsulta dhe me partnerët e tjerë të koalicionit të deritanishëm dhe partitë e tjera politike, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet që kemi në fuqi”, tha Veseli.

Ramush Haradinaj më 19 korrik njoftoi për dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit, pasi tha se ka marrë ftesë për t’u intervistuar në Hagë. Ai tha se është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për krime lufte në Hagë, ku siç thuhet mund të paraqitet javën që vjen. Haradinaj në konference e tij pas dorëheqjes, theksoi se nuk mund të lejonte që të në Dhomat e Posaçme të paraqitej si kryeministrit dhe për këtë arsye ka dhënë dorëheqje.