Vetëvendosje vite më parë votoi pro ndaljes së zhurmës së ezanit – tash e respektojnë atë

Derisa sot e respektojnë dhe ndalojnë fjalimet e konferencat kur thërret ezani, Lëvizja Vetëvendosje, që tashmë është në pushtet, në vitin 2014-të pati votuar pro Ligjit për parandalimin e zhurmës së ezanit, ligj ky i sponsorizuar nga ish-ministri i Ambientit asokohe, Dardan Gashi.

E për këtë votë, pati reaguar edhe imami Shefqet Krasniqi, i cili pati paralajmëruar Lëvizjen Vetëvendosje duke ju thënë se nuk do ta përkrah më këtë subjekt.

“Për cudi Vetëvendosja e ka votu. Edhe kur jemi te Vetëvendosja unë jau çoj një selam, mos t’i prishum punët prapë, ne hale s’i kemi rregullu me ta, por e kemi fillu me ndryshu qëndrimin tone ndaj tyne sepse ata janë zbutë. Me votimin e tyre kundër ezanit në këtë rast ata na kanë tregu neve , na e kanë dhanë një isharet se ne duhet hale të kujtohemi mirë a me i përkrah apo jo…” ka thënë ai.

E pas kësaj grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, asokohe pati dalë me një sqarim.

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në vitin 2014-të kur është votuar ky projektligj, Visar Ymeri, në një komunikatë për media, kishte thënë se nuk do të ndalen as ezani dhe as kambanat.

Sipas tij, Projektligji do të përcaktojë limitet dhe intensitetin e tingujve ndaj të cilave mund të ekspozohet komuniteti, shkruan Insajderi.

“Ky Projektligj konsiston në një sërë nenesh që trajtojnë nevojën për të përcaktuar limit fizik për lartësinë dhe intensitetin maksimal të tingujve ndaj të cilëve mund të ekspozohet komuniteti”, kishte thënë asokohe Ymeri.

Por tash kryeministri në detyrë, Albin Kurti njëherësh edhe kryetar i Lëvizja Vetëvendosje nuk po harron në asnjë moment kur po thirret ezani, që të ndalojë disa minuta, duke respektuar kështu këtë rit fetar.

Madje sot u ndal edhe ministri në detyrë i shëndetësisë Arben Vitia, në konferencën ku po fliste për Kosonavirusin dhe masat e reja që do t’i ndërmarrin.

Ai tha se po ndalen pak, derisa hoxha ta bëjë thirrjen për faljen e akshamit.

E kjo duket se u bë trend nga politikanët, pasi që, krejt kjo ka nisë nga fushata zgjedhore duke vazhduar edhe tani në konferenca Live dhe prononcime.

Brenda javës kryeministri i hskarkuar dy herë respektoi ezanin, ndalimi fjalimin dhe po ashtu ndali edhe pyetjet e gazetarëve kur niste thirrja e ezanit.