Viola von Cramon shpreson në arritjen e një marrëveshjeje Kosovë – Serbi në vjeshtë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se shpreson që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të finalizohet me një marrëveshje për njohje reciproke në vjeshtën e këtij viti.

Sipas saj, këtij synimi i paraprin një konferencë në Paris ndërmjet të dyja palëve, me presidentin francez, Emmanuel Macron si nikoqir.

Përmes një video-mesazhi në rrjetin social, Twitter, von Cramon ka thënë se pas takimeve që ka zhvilluar i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak me kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe pasi blloku evropian të marrë drejtimin, procesi do të mund të shkojë përpara.

“Hapi i ardhshëm, dhe më i rëndësishëm, do të jetë mbajtja e një konference në Paris, e iniciuar dhe organizuar nga presidenti (francez, Emanuel) Macron dhe më pas natyrisht, pritjet janë që më në fund do të mund të shohim arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke përgjatë vjeshtës. Kjo është ajo për të cilën duhet të punojmë me të dyja palët për të arritur këtë rezultat të suksesshëm, deri në fund të këtij viti”, ka thënë ajo.