Vitia-Haxhiut: Negociatat për vaksina bëhen nga Qeveria, ndryshe mund të mashtrohemi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka debatuar me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu rreth çështjes së sigurimit të vaksinave.

Përderisa Vitia ka thënë se Qeveria është duke punuar që nga dita e parë për sigurimin e vaksinave, Haxhiu ka thënë se ministri nuk ka shfrytëzuar kanalet që ai personalisht ia ka ofruar për sigurimin e shpejtë të vaksinave anti-Covid19.

“Ka shumë kërkesa për mënyrën se si duhet të ndihmojmë, i falënderoj të gjithë deputetët që kanë shprehur gatishmëri për me na ndihmu, por dua t’i referohem z.deputet për mundësinë e kanaleve të tjera për sigurimin e vaksinave, ju kemi bërë të ditur se çdo negocim jashtë prodhuesve dhe jashtë qeverive përkatëse është gabim që na është tërhequr vërejtja, pasi që mund të jemi pre e mashtrimeve. Ju deputeti Haxhiu e dini se negocimet për vaksina bëhen me Qeveri dhe vetëm me Qeveri, me prodhues dhe vetëm me prodhues”, ka thënë Vitia.

Në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar ende seanca plenare ku pritet të diskutohet për arsimin dhe pagesën e energjisë elektrike për Mitrovicën veriore.