Vizat, targat: Kurti me videomesazh në serbisht u drejtohet serbëve të Kosovës

114

Kryeministri Albin Kurti në një video adresim në gjuhën serbe iu është drejtuar sonte qytetarëve serbë të Kosovës mbi aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, liberalizimin e vizave dhe rritjen e interesimit për t’u pajisur me pasaporta dhe targa të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se këtë javë ka qenë mikpritës i vizitës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ne e dimë se anëtarësimi sjell avantazhe, veçanërisht për anëtarët e komuniteteve jo-shumicë, në kuptimin e qasjes në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Për këtë arsye ne i jemi përkushtuar aplikimit për anëtarësim si mënyra më e mirë për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të secilit në Kosovë”, ka thënë Kurti një postim në Facebook.

Ai ka theksuar se këto vizita vijnë në kohën kur qytetarët e Kosovës po e pranojnë identitetin e tyre evropian, jo vetëm në aspektin e qeverisjes dhe shoqërisë, por edhe me shansin për t’u afruar fizikisht me fqinjët tanë evropianë për shkak të liberalizimit të vizave.

“Qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të vizitojnë familjet e tyre dhe të shohin nga afër kulturën e vendeve të rajonit Shengen, do të jenë të lirë të udhëtojnë pa viza nga 1 janari. Jemi të kënaqur që interesimi për përdorimin e kësaj mundësie po përhapet në të gjithë vendin, nga veriu në jug, me një rritje prej rreth 30% të aplikimeve për pasaporta biometrike këtë vit krahasuar me të kaluarin” ”, ka thënë Kurti.

Duke marrë parasysh se mbi 3260 pronarë të veturave nga fillimi i nëntorit e deri më tani kanë ndërruar targat e tyre me ato të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti tha se vërehet interesimi për integrim dhe kuptojmë e dimë se e njëjta gjë është në interes të çdo qytetari të Kosovës.

“Të të gjithë neve. Së bashku. Në dritën e ngjarjeve të tilla të kohës së fundit, falënderoj të gjithë ata që treguan besim për një Kosovë më të mirë. Ju përshëndes shumë dhe ju uroj të gjitha të mirat”, përfundon Kurti.