Vjedhje e rëndë në një shtëpi në Vushtrri, hajnat marrin stoli ari në vlerë të mbi 10 mijë eurove

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Gjatë ‘aksionit’ të vjedhjes, hajnat gjurmojnë që të gjejnë gjëra me vlerë në shtëpi siç janë paratë dhe stolitë e arit, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu e ka pësuar mbrëmë edhe familja Musliu në rrugën “Zejnullah Begu” në Vushtrri, ku persona të panjohur kanë hyrë brenda shtëpisë dhe kanë arritur që të marrin një sasi të konsiderueshme të stolive të arit.

Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar në Polici pronari i shtëpisë, sipas të cilit dëmi i shkaktuar kap vlerën e mbi 10 mijë eurove.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të zbulohen dhe të kapen të dyshuarit.