Vjehrri me të renë në një Ambasadë

Shpend Kallaba dhe Bubulina Krasniqi janë në raport familjar: vjehërr-re. Duke pasur lidhje të forta me njerëz të politikës, të dy kanë mbërritur të bëhen diplomatë dhe pushteti i Kosovës është përkujdesur prej vitesh që ata të shërbejnë brenda të njëjtit mision diplomatik, shkruan sot Koha Ditore.

Aktualisht, të dy janë pjesë e Ambasadës së Kosovës në Budapest, ndërsa përpara se të dërgoheshin në këtë mision, kishin shërbyer në Sofje.

Bubulina Krasniqi është motër e Memli Krasniqit, një nga eksponentët kryesorë në Partinë Demokratike (PDK), e cila ka qenë forca më e madhe në pushtet që nga fundi i vitit 2007. Në fund të vitit 2011, kur i vëllai ishte ministër në Qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi, ajo ishte punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si “zyrtare e lartë për organizata ndërkombëtare”. Më pas i ishte dhënë grada “këshilltare” dhe ishte dërguar në Ambasadën në Bullgari.

Në vitin 2011, PDK-ja ndodhej në koalicion me Aleancën Kosova e Re (AKR) të Behgjet Pacollit, një nga këshilltarët e të cilit ishte edhe Shpend Kallaba. Pasi zgjedhjen e tij president e shpalli antikushtetuese Gjykata Kushtetuese, Pacolli u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Nga kjo cilësi, ai e propozoi Kallabën për ambasador në Bullgari. Nga prilli i vitit 2012, ai është ambasador.

Rreth dy vjet pasi ishte dërguar në Ambasadën në Sofje, Bubulina Krasniqi ishte martuar me Pëllumb Kallabën, djalë i ambasadorit të misionit ku ajo shërbente.

Autoritetet shtetërore janë përkujdesur që diplomatët në lidhje familjare – vjehërr dhe e re – të mos i ndajnë as para një viti, kur dy institucione të ndryshme kanë marrë vendime gati të njëkohshme për lëvizjen e shefave të misioneve diplomatike e edhe të disa prej anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm.

Sërish eksponentë kryesorë të vendimmarrjes janë Thaçi, që tash është presidenti, dhe Pacolli që, si gati një dekadë më herët, është zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. “Koha Ditore” ka siguruar dokumentet që e dëshmojnë këtë.