“40 minuta deri sa i kemi nxjerrë jashtë”- Aksidenti tragjik në Vushtrri, familjari i 25-vjeçares në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të hënës në Vushtrri. Nga ky aksident ka humbur jetën humanisti Mentor Merovci dhe tre të tjerë janë lënduar rëndë. Në mesin e të lënduarve është edhe Laureta Merovci e moshës rreth 25 vjeçare. Një familjar i saj në kushte anonimiteti ka rrëfyer për Insajderin detaje nga aksidenti tragjik.

Sipas këtij familjari, Laureta është e shtrirë në koma për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të saj. Familjari ka thënë se iu janë dashur 40 minuta ta nxjerrin nga vetura e aksidentuar.

“Kanë qenë dy familjet Merovci. Laureta Merovci ka qenë në veturën tjetër që është goditur. Edhe ajo është në gjendje shumë të rëndë. Afër 40 minuta deri e kena çelë derën me e nxjerrë jashtë”, ka thënë ai.

Nga ky aksident ka mbetur i vdekur humanisti Mentor Merovci.

Hoxha Besfort Maxhuni, hoxhë në xhaminë “Sheikh Zayed”, ka njoftuar se në mesin e të lënduarve nga aksidenti është edhe djali 20-vjeçar i tashmë të ndjerit Mentor Merovcit.

”Vëllau Mentor Merovci Allahu e mëshiroftë në aksident ka patur me veti edhe djalin 20 vjeqar që tani është në spital”, ka shkruar ai.