Vjosa Osmani: Duhet të ulemi me Amerikën dhe ta prezantojmë propozimin tonë për Asociacionin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në RTK rreth formimit të Asociacionit.

Ajo ka thënë se kryesor në këtë proces është përfshirja direkte e Amerikës. Sipas saj, Kosova duhet të ulet me liderët e Amerikës, e të propozojë një draft për Asociacionin. Një propozim sipas saj, në përputhje me Kushtetutën.

“Nga fillimi kam thënë që nuk shoh sukses pa involvimin direkt të Amerikës në këtë proces, dhe këtë e dëshmon historia. Në secilin proces në krejt Ballkanin, veçanti në Kosovë, nëse Amerika nuk e merr rolin udhëheqës, atëherë është problem të kemi sukses në të ardhmen. Për të bërë një kthesë të rëndësishme në ditët dhe muajt në vijim, duhet të ulemi me Amerikën që propozimin tonë në përputhje me ato parime ta prezantojmë para liderëve të Amerikës, dhe natyrisht të merremi vesh me ta se cilët do të jenë hapat tutje. Nuk besoj që e pranon Serbia propozimin që është në përputhje me Kushtetutën, por nuk mund të shkojmë përtej kësaj”, ka thënë Osmani, raporton Nacionale.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup e tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha Osmani.

“Ne nuk jemi kundër të drejtave të pakicave, përkundrazi duhet të ofrojmë sistemin më të avancuar në përputhje me Këshillin e Evropës. Megjithatë, diçka që e bën shtetin tonë jofunksional asnjëherë nuk e kanë kërkuar SHBA-të. Prandaj i shoh si partnerin që duhet të ulemi të prezantojmë planin tonë, për rrugën tonë drejt fuqizimit ndërkombëtar dhe hapat e tjerë që kam prezantuar me liderët e Amerikës”, deklaroi Osmani.

“Jo që po e zbuloj ujin e nxehtë, por sukseset e Kosovës qofshin ato të sigurisë, për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, kanë qenë të mundura kur kemi pasur bashkërendim me Amerikën. Edhe BE-ja na ka ndihmuar, por drejtimin kryesor të progresit e kemi pasur me Amerikën. Akoma janë 5 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, dhe kjo mungesë uniteti nuk po e ndihmon vendimmarrjen, dhe kjo po dërgon në qasje për t’u arritur uniteti, secili shtet po heq dorë nga ndonjë qëndrim, dhe ajo qasja finale po na dëmton”, tha ajo.