Vjosa Osmani për Al Jazeera: Përpjekjet e UÇK-së ishin ta çlironin Kosovën nga regjimi gjenocidal

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë të dhënë për mediumin ‘Al Jazeera’, derisa ka folur për ish-krerët e UÇK’së që po gjykohen në Hagë për krime lufte, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës të gjitha përpjekjet i ka pasur të, siç shprehet ajo, çlirojnë Kosovën nga regjimi gjenocidal.

“Në të njëjtën kohë, duhet të theksoj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri që doli nga njerëzit dhe luftoi për çlirimin. Në këtë kuptim, unë do t’i vija theksin fjalës çlirim, sepse të gjitha përpjekjet e saj ishin për të çliruar Kosovën nga regjimi gjenocid”, deklaroi presidentja Osmani.

Tutje, ajo thotë se përkundër dallimeve politike që ka pasur me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe disa nga ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK’së, të gjithëve duhet t’u çmohet kontributi për liri e pavarësi.

“Padyshim që kemi pasur dallime politike në të kaluarën me z. Thaçi dhe disa nga udhëheqësit e tjerë. Sidoqoftë, ka një gjë për të cilën jemi dakorduar të gjithë, të gjithë bashkërisht kemi kontribuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe ky është një kontribut që duhet të vihet në pah. Në të njëjtën kohë, ishte Kuvendi i Kosovës me vullnetin e tyre që ka themeluar Dhomat e Specializuara, të cilat duhet të punojnë me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës, në atë kuptim. Çdokush nga ne duhet të kuptojë kontributin që këta udhëheqës i kanë dhënë drejtësisë ndërkombëtare duke punuar vullnetarisht me Dhomat e Specializuara”, ka deklaruar ajo.

E para e vendit, tutje ka folur edhe për ‘non-papers’, të cilat i ka quajtur jo-relevante, derisa ka thënë se ato do lihen jashtë tryezës së diskutimit për dialogun Kosovë-Serbi në nivel të lartë politik.

“Për më tepër, unë do të doja të theksoja se këto letra nuk janë fare të rëndësishme. Ne duhet të kemi vetëbesim, sepse e dimë që kjo është një ide e rrezikshme, nuk kemi nevojë për një ‘non-paper’ për të na treguar se çfarë të bëjmë. Ne dimë çfarë të bëjmë dhe dimë çfarë të shmangim, dhe një nga aventurat e rrezikshme që do të shmangim me çdo kusht është ajo që lidhet me ndryshimet e kufijve”, ka thënë ndër të tjera Osmani.