Vlora Çitaku i reagon ambasadorit amerikan: Atifete Jahjaga nuk ka qenë produkt i asnjë “zarfi”

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku i ka reaguar ambasadorit amerikan Philip Kosnett i cili tha se “koha e presidentëve që dalin nga zarfi ka shkuar”.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Vlora Çitaku ka thënë se zgjedhja e e Presidentes Jahjaga nuk ka qenë produkt i asnjë “zarfi”.

Ajo tha se atë kohë pas qarkullimit të emrave të shumtë të kandidatëve të mundëshëm për President të vendit, Jahjaga ishte i vetmi person për të cilin palët e përfshira mund të dakordoheshin pa asnjë trysni.

Ndryshe Kosnett sot në një shkrim të tij tha se koha e presidentëve që dalin nga zarfi ka shkuar.

“Më lejoni të jem i qartë. Qeveria ime nuk po kërkon, as publikisht e as privatisht, që ndonjë deputet të votojë për ndonjë individ të caktuar për president. Ditët e shënimit të emrave në zarf kanë marrë fund. Çka po kërkojmë është që procesi të ecë përpara për të shmangur kthimin në zgjedhje të reja të kushtueshme dhe muaj të tërë të mosfunksionimit gjatë kohës së pandemisë dhe krizës ekonomike”, ka thënë ai.