Votimi final, liberalizimi i vizave për Kosovën javën tjetër në Parlamentin Evropian

Demush Shasha, drejtori ekzekutiv i EPIK-ut ka bërë të ditur se javën e ardhshme liberalizimi i vizave për Kosovën do të votohet në seancën e Parlamentit Evropian.

Shasha në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ky është votimi final në procesin e liberalizimit të vizave.

“Më nuk do të këtë lajme për ‘edhe një votim’ apo ‘edhe një hap’. Ky është fundi. Dhe fakti që më vjen kaq zor të shqiptoj fjalën ‘urime’ tregon sa i dhimbshëm ka qenë ky proces”, shkruan ai.

Ndryshe, më 14 dhjetor të vitit të kaluar Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.