Vranë kushërinjtë, autorët djegin makinën në Tiranë, kërkohen nga policia (video)

Auorët e vrasjes së dy kushërinjve Jushi në Laç pasi kanë kryer krimin janë larguar me shpejtësi dhe kanë djegur makinën në Tiranë.

Gazeta Mapo siguron videon e djegjes së makinës, së autorëve që kryen vrasjen e dyfishtë në Laç. Në video dallohet momenti kur makina është në flakë, në zonën e Laprakës në Tiranë. Autori dyshohet se është fshehur në jë banesë në Laprakë, aty ku dhe ka djegur makinën. Burime nga policia thanë për Gazetën Mapo se në momentin kur makina është djegur, njëri nga autorët ka qënë i pranishëm.

Për vrasjen e dy kushërinjve, Mikel Jushi, 35 vjeç dhe Jani Jushi 30 vjeç janë shpallur në kërkim tre persona, konkretisht Markel Bushi 25 vjeç, vëllai i tij 23 vjeçar M. Bushi dhe kushëriri i tyre Vinçens Pal Bushi, 28 vjeç.

Paraprakisht mendohet se vrasja e dyfishtë në Laç ka ndodhur pas një debati për gervishtjen e makinës.

Ndërkohë, Markel Bushi, rezulton person me precedentë të mëparshëm penale. Ai kërkohej për plagosje me armë dhe vjedhje me dhunë.

Arsyeja e përplasjes, ka të bëjë me një incident, që një nga autorët ka shkaktuar gjatë mesditës së djeshme në lokalin që kushërinjtë Jushi kanë në pronësi në qendër të qytetit. Pikërisht në lokalin “Piaca”. Njëri nga të dyshuarit për vrasjet, ka qënë në bar “Piaca” dhe ka shkaktuar probleme me stafin.

Pasi kanë marrë dijeni, dy kushërinjtë janë vënë në kërkim të personit, me të cilin kishin njohje pasi jetojnë në të njëjtën lagje. Burimet për “Mapo” thanë se në mbrëmje, kur e kanë gjetur shkaktarin e incidentit, sqarimi i ngjarjes së drekës nuk ka qënë me tone të qeta, madje besohet se ka pasur përplasje. Në sherr e sipër, kushëriri i Bushit, që njihet si njeri problematik, është përfshirë duke qëlluar menjëherë në drejtim të Mikel Jushit dhe Jani Jushit, duke i lënë ata të vdekur. Për vrasjen e dyfishtë në Laç janë shpallur në kërkim, Markel Bushi 25 vjeç, vëllai i tij 23 vjeçar M. Bushi dhe kushëriri i tyre Vinçens Pal Bushi, 28 vjeç.