Vrasja e Bakush Veselit në Gjilan, arrestohet Lirim Jakupi

Lirim Jakupi është personi i radhës i arrestuar për vrasjen e 50-vjeçarit, Bakush Veseli.

Arrestimi i Lirimit është bërë pas 4 muajve pasi që ka ndodhur vrasja e qytetarit nga Bujanoci në një kafiteri të Gjilanit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njoftoi sot se ka ndaluar të dyshuarin me inicialet L.J., pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen, e cila ka ndodhur më 12 Shtator 2021, në Gjilan, ku me armë zjarri është privuar nga jeta tani i ndjeri B.V.

Ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Për këtë rast, me kërkesë të prokurorisë, të pandehurit F.O., G.B. dhe I.V., gjenden nën masën e paraburgimit.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Gjilan, Ismet Hashani në ditën kur kishte ndodhur vrasja kishte deklaruar për Indeksonline se viktima është qëlluar me armë zjarri nga dy persona derisa po pinte kafe.

“Ju njoftojmë se rreth orës 19:45 ka pasur të shtëna me armë zjarri në Gjilan – te parku qytetit në një kafiteri. Personi mashkull i moshës 50 vjeç dyshohet se është nga Bujanoci ka qenë duke pirë kafe në kafiteri dhe aty kanë ardhur dy persona kanë shtënë me armë zjarri dhe kanë ikur këmbë në drejtim të stacionit të autobusëve”, kishte thënë Hashani./IndeksOnline/