Vrasja e gruas shtatzënë, Haxhiu paralajmëron dorëheqje e shkarkime

Krimi monstruoz ndaj gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Hamide Magashi, e cila dyshohet se u vra nga ish bashkëshorti i saj, Sokol Halili, ka bërë që sot të mblidhet grupi i ngushtë ndërministror për raportim për së afërmi me secilin veprim instituticional për rastin, raporton Gazeta Sinjali.

Pas mbledhjes, për media është deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se vrasja e dyshimtë është papërgjegjësi e institucioneve dhe papërgjegjësi e prokurorit të rastit, meqë viktima edhe më herët kishte denoncuar dhunën në Polici, por që i dyshuari ishte liruar në procedurë të rregullt.

Haxhiu ka thënë se rasti tragjik i mbrëmshëm, tregon që duhet ende shumë punë për të bërë, teksa tha se në momentin që dëshmohet se institucionet kanë dështuar ta mbrojnë viktimën, do ketë dorëheqje e shkarkime të personave përgjegjës.

“Kemi diskutuar për veprimet institicionale për këtë rast. Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti do të ishte parandaluar. Ky rast na tregon që kemi shumë punë për të bërë. Nuk guxojmë të zbrapsemi. Duhet të angazhohemi edhe më fort. As Gjykata as Prokuroria nuk ishin të pranishme në takimin e sotëm. Në momentin që të verifikohet dështimi institucional, hallka që ka dështuar, personat përgjegjës do të japin dorëheqje. Të gjithë ne kemi përgjithësi. Ju garantoj që nëse ka dështu, do të ketë dorëheqje, do të ketë shkarkim. Edhe më herët është kërkuar por nuk ka pasur dorëheqje. Sot nuk kemi asnjë dorëheqje asnjë shkarkim, këto mosveprime po i inkurajojnë vrasësit. Nuk kemi asnjë dorëheqje nga prokurorët, gjyqtarët për këto raste. Ministria nuk ka te drejtë të shkarkojë, kur po vriten gratë po kërkohen nga minstria të shkarkohen. Reforma në drejtësi pritet të votohet në kuvend. Secili qe nuk e ka kryer detyrën, më e vogla është dorëheqja”, tha Haxhiu.

Ndryshe, Hamide Magashi, 35-vjeçare, ka mbetur e vrarë mbrëmë para dyerve të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë ku ajo ishte e shtrirë për shkak se ishte në javën e fundit të shtatzënisë.

Ish bashkëshorti i saj, Sokol Halili, dyshohet se shkrepi armën drejt viktimës, duke e lënë atë të vdekur në vend.

Halili menjëherë pas kryerjes së veprës është larguar në drejtim të panjohur me veturën e tij Opel Astra me targa 05-450-BC dhe i njëjti është shpallur në kërkim policor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.