Vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, avokati Koci me kritika për strukturat e hetuesisë

Avokati Arianit Koci ka komentuar zhvillimet e fundit rreth vrasjes së trefishtë që kishte ndodhur më 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit.

Koci ka pohuar se informacionet e ndjeshme lidhur me rastin e Deçanit kanë rrjedhur në publik, dhe kjo sipas tij është jo profesionalizëm nga strukturat e hetuesisë, transmeton Telegrafi.

“Informatat më ndjeshme lidhur me rastin e Deçanit, kanë rrjedhur në publik – ka kohë. Disa ditë para arrestimit, është zbuluar edhe motivi i mundshëm i këtij krimi makabër. Madje është thënë se do të ketë arrestime shumë shpejt. Ashtu ndodhi! Kjo është profesionalizëm i pastër nga ana e strukturave të hetuesisë. Dhe kjo, nuk është hera e parë. Po dëmtohen hetimet dhe po shkelet rëndë prezumimi i pafajësisë”, ka pohuar ai.

Më tej, Koci ka shtuar “prandaj, në këtë rast – çdo informatë – zyrtare apo jozyrtare, jam i prirur ta pranoj me rezerva deri në aktgjykim të plotfuqishëm. Dënues apo lirues”.

“P.s.Informata dhe analiza, kanë dallim. E kush ka përvojë, saktësisht e dallon të parën prej të dytës”, thotë mes tjerash ai.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve H.M, K.M dhe M.M, për shkak të dyshimit të bazuar se të njejtit kanë kryer vepër penale vrasje e rëndë dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim tkontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Të pandehuve H.M, KM dhe M.M iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

Ndërkaq, motivi i vrasjes së trefishtë dyshohet të jetë hakmarrja për vetëvrasjen e 20-vjeçares nga Gllogjani, Heroina Mehmetajt, motrës së të dyshuarve, e cila i dha fund jetës së saj më 14 qershor 2020, duke u varur me litar.

Vrasja e trefishtë që ndodhi në Deçan po cilësohet si një prej ngjarjeve më të rënda që ka ndodhur në vend.

Përveç shoferit, i cili dyshohet të ketë qenë cak i të dyshuarve, mbetën të vdekur edhe dy nxënës 17-vjeçarë të cilët po udhëtonin me autobus në momentin kur ndodhi sulmi.