Vrasja në Drenas, Babai: Lus familjen Demiri të mos marrë hak, djemtë e mi do dorëzohen në polici

Një person ka mbetur i vrarë në Nekoc të Drenasit mbrëmjen e së shtunës, pasi është qëlluar me armë zjarri. Në konflikt dyshohet se kanë qenë të përfshirë dy familje.

Ajo e Shaban Sylës i dënuar në rastin “Bllaca 2”, dhe familja Demiri. Ende nuk është arrestuar asnjë person për këtë rast, ani se disa persona tashmë janë të dyshuar, por të njëjtit gjenden në arrati. I dyshuari kryesor, besohet të jetë Leutrim Syla, djali i Shaban Sylës.

Në një bisedë ekskluzive për Express i dënuari për tentim vrasje në vitin 2010, Shaban Syla nga Burgu i Dubravës ka treguar rreth asaj se çka di për gjithë këtë ngjarje.

Ai ka shpjeguar se edhe më herët kishin pasur konflikt me familjen Demiri. Kjo sipas tij, kishte ndodhur para 8 viteve.

“Unë jam prindi i djemve Syla, i Lutrim Sylës. Unë, Shaban Syla, që gjendem në burg. Ne jemi të shokuar. Nuk e di pse familja jonë po atakohet në këtë mënyrë. Sa i përket rastit të djeshëm djemtë e mi, para 8 viteve kanë pasur nja mosmarrëveshje në një stadion futbolli në Kishnarek. Rasti është në polici”, ka shpjeguar Syla për Express.

E për ngjarjen e djeshme ku mbeti i vrarë një person nga familja Demiri, i dënuari për tentim vrasje në vitin 2010, Shaban Syla thotë se nga familja Demiri të shtunën familjarëve të tij i kishin zënë pritën.

“Kurse dje, rreth orës 19:00 ka ndodhur në aksident në mes të Ardit Sylës dhe të ndjerit dhe babait të tij. Ardit Syla është djali i vëllait tim, diku rreth 16 vjeçar. Është –plagosur me skalper në shpinë. Kurse Ardian Syla më duket se është goditur me çekan dhe shufra hekuri. Siç ka arritur në vendin e ngjarjes, Leutrim Syla unë nuk e di”, thotë ai.