Vrasje në tentativë: I riu godet me veturë një person në Mitrovicë, arrestohet nga Policia

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën ‘Fadil Deliqi’ në Mitrovicë, ku një person dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta një 38-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti verbal mes dy personave, me ç’rast i dyshuari më pas ka hipur në veturën e tij dhe e ka goditur viktimën.

Si pasojë e kësaj, 38-vjeçari ka marrë lëndime trupore për çka edhe është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë. Burimet brenda Emergjencës njoftojnë se gjendja shëndetësore e viktimës është stabile dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë arritur që të arrestojnë 27-vjeçarin e dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Vrasje në tentativë’.