Vritet një person në Mitrovicë, një tjetër mbetet i plagosur

Gjatë ditës së djeshme në Mitrovicë ka ndodhur një krim i rëndë, ku si pasojë një 49 vjeçar ka mbetur i vrarë, ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, derisa dy të dyshuar për këtë vepër janë në arrati dhe po kërkohen nga policia.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Me datën 10 korrik 2021, në ora 00:20, policia në Mitrovicën e Jugut, ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën Evlia Qelebia. Me të pranuar informatën, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas janë dërguar në QKUK- Prishtinë. Ndërsa rreth orës 02:00, nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima D. S., 49 vjeçar, si pasojë e plagëve ka vdekur, ndërsa i plagosuri tjetër viktima J. S., 52 vjeçar, mbetet në tretman të mëtejmë mjekësor”, deklaroi ai.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Evlia Çelebia” në Mitrovicë dhe pas ekzaminimeve të kryera në vendin e ngjarjes, hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kanë gjetur katër gëzhoja dhe një predhë të plumbit si dëshmi materiale që ndërlidhen me rastin.