Vritet një ushtar kroat nga sulmi vetëvrasës në Afganistan

Një ushtar kroat, që ishte duke shërbyer në Afganistan, ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar rëndë në një sulm vetëvrasës ndaj kolonës së tyre afër Kabulit.

Ky ushtar është viktima e parë në Afganistan që nga dërgimi i trupave të ish-republikës jugosllave dhe anëtares së NATO-s në Afganistan në vitin 2003.

Sulmi i së mërkurës, për të cilin e morën përgjegjësinë talibanët, erdhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët talibanë po përgatitet për rundin e tetë të bisedimeve të paqes në Katar, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan.

Ushtarët ishin duke udhëtuar drejt aeroportit të Kabulit kur një motoçikletë me sulmuesin vetëvrasës u ndesh me njërën nga veturat e ushtrisë. Lajmin e bëri të ditur ministri kroat i mbrojtjes, Damir Kërstiçeviq, gjatë një konference për gazetarë në Zagreb.

Njëri nga ushtarët, i identifikuar si Josip Briski, pësoi lëndime të rënda në kokë gjatë shpërthimit dhe vdiq më vonë në një spital amerikan.

Rreth 20 mijë trupa të huaja, shumica prej tyre nga Shtetet e Bashkuara, ndodhen në Afganistan si pjesë e misionit të NATO-s për t’i trajnuar, këshilluar dhe ndihmuar forcat afgane, shkruan “Reuters”.