Vuçiq: Dje morëm porosi nga Thaçi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se autoritetet nga Prishtina me akuza ndaj Millan Radojçiqit kanë dëshiruar ta dobësojnë mbrojtjen serbe në veri të Kosovës.

Duke qenë mysafir në lajmet e RTS-së, Vuçiq tha se marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës është tepër larg.Sipas tij, faji nuk është i Serbisë, ndërsa potencoi mos formimin e Bashkësisë së Komunave serbe, aplikimin e taksës siç e quajti ai, anticivilizuese, vetëm për të dëmtuar serbët.Ai ka bërë të ditur se liderët shqiptarë, si dhe disa fuqi perendimore po konsiderojnë se vetëm Kosova e tërë mund të jetë e pavarur.

“Dje morëm porosi nga Thaçi, se ndarja e Kosovës është e mundur vetëm pasi të shkelet mbi trupin e tij të vdekur. Po ashtu Thaçi tha se e ka larguar nga Kosova Millan Radojçiqin, funksionarin e Listës serbe”, ka thënë Vuçiq.Vuçiq theksoi se nuk ka fletarrest të kuq për Radojçiqin dhe se kanë thënë se e kanë përndjekur ngase duan që ta dobësojnë mbrojtjen serbe në veri të Kosovës.

“Kjo është mënyra e veprimit kundër serbëve dhe dëshira për t’i nënshtruar ata. Gjeni serbë të cilët rrihen mes vete”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiqi ka thënë se është e pabesueshme të krahasosh deklaratat e Ramush Haradinajt, Hashim Thaçit dhe disave të cilët po aktrojnë demokratët në Beograd dhe të cilët gjatë tërë kohës po mbështesin pavarësinë e Kosovës në tërësi.

Sipas tij, nuk ka afate kohore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por sa më shumë të kalojë koha, raportet gjithnjë e më shumë po përkeqësohen, gjë që paraqet problem për të gjithë.

Ai u shpreh i dëshpëruar me deklaratën e shefit të diplomacisë gjermane, Heiko Mas., i cili tha se Berlini do ta mbështesë Prishtinën pavarësisht të gjithave, dhe shtoi se kur diçka e tillë deklarohet, atëherë nuk mund të pritet që taksa të heqet.