Vuçiq: Kemi garanci se kërkesat tona për heqjen e barrikadave do të plotësohen

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova tha se janë dhënë garanci se kërkesat e tyre për heqjen e barrikadave do të plotësohen.

Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, nisi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.

Në takim, ai tha se Dejan Pantiqi ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.

Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës po mbajnë që nga 10 dhjetori.

Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.