Shkencëtarët: Koronavirusi nisi të përhapet në botë më herët sesa mendonim

Rastet e para të koronavirusit besohet se u shfaqën në Kinë midis fillimit të tetorit dhe mesit të nëntorit 2019, pretendojnë shkencëtarët britanikë në parashikime të reja që sugjerojnë se virusi është përhapur në të gjithë botën shumë më shpejt sesa mendohej më parë.

Rasti i parë besohet të ketë ndodhur më 17 nëntor, shkruajnë studiuesit në një analizë të botuar në revistën shkencore PLOS Pathogens.

Rasti i parë zyrtar u regjistrua në fillim të dhjetorit 2019 në qytetin kinez Wuhan, por shkencëtarët kanë besuar prej kohësh se virusi ishte përhapur edhe para kësaj.

Të njëjtën pikëpamje ndajnë shkencëtarët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të cilët hulumtuan origjinën e virusit në fillim të vitit.

Analistët e të dhënave, të udhëhequr nga David Roberts i Universitetit britanik Kent, llogaritën periudhën më të mundshme kur patogjeni mund të kishte kaluar nga kafshët te njerëzit, bazuar në informacionin në lidhje me rastet e para të konfirmuara në Kinë dhe jashtë saj.

Shkencëtarët britanikë janë mbështetur në një model matematikor në fushën e mbrojtjes së natyrës që normalisht përdoret për të parashikuar zhdukjen e specieve, shkruan agjencia DPA.

Ky model sugjeron që virusi u përhap nëpër botë që në janar. Llogaritjet tregojnë se infeksioni i parë jashtë Kinës ishte më 3 janar në Japoni.

Në Evropë, sipas tyre, rasti i parë ishte në Spanjë rreth 12 janarit, dhe infeksioni i parë në Shtetet e Bashkuara ishte rreth 16 janarit.