Vuçiq: Ku do ta vendosim ushtrinë është punë e jona

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se bashkëpunimi me NATO-n dhe KFOR-in është i rëndësishëm për Serbinë me shpresën se sa më shumë që të jetë e mundur do të garantojë siguri për popullin serb në Kosovë.

Ai theksoi se që nga viti 2001 në Kosovë nuk ka pasur nevojë që KFOR-i të sigurojë një mjedis të sigurt për asnjë komunitet tjetër përveç serbëve.

“Vetëm serbët janë sulmuar nga viti 2001, pastaj 2004, pastaj 2008. E kam informuar Stoltenberg se 13 për qind e serbëve janë larguar nga veriu vitin e fundit për shkak të presionit, ngacmimeve, arrestimeve, kërcënimeve nga Qeveria e Kosovës. Nëse kjo nuk është dhunë, atëherë nuk e di se çfarë është”, tha Vuçiq.

Ai tha se është i vetëdijshëm se Perëndimi është i interesuar vetëm për Banjskën dhe para kësaj ngjarjet në Zveçan.

“Më duhet të them se ne kemi një këndvështrim tjetër, por nëse i kuptojmë kërkesat e Perëndimit dhe NATO-s, do të përpiqemi të kemi një bashkëpunim të mirë”, tha presidenti serb në konferencën për media të mbajtur pas takimit me Stoltenberg.

Forcat e Armatosura të Serbisë e kanë kryer punën e tyre në mënyrë korrekte dhe nuk i kanë shkelur kompetencat e tyre, Vuçiq theksoi se është punë e Serbisë se ku do të vendosë forcat e saj ushtarake në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.

“Ku do ta vendosim ushtrinë është punë e jona, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe pa rrezikuar askënd”, tha Vuçiq në përgjigje të vërejtjeve të Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg se trupa shtesë të Ushtrisë Serbe në vijën kufitare me Kosovën. nuk do të kontribuojë në de-përshkallëzimin e situatës.