Vuçiqi e përmendi Adem Jasharin, reagon ish-komandanti i UÇK-së: Ata që hyjnë në territorin e shtetit sovran, do ta kenë fatin e tre kriminelëve të vrarë

Dje Policia e Kosovës u sulmua në veri të vendit nga grupet kriminale serbe, ku pas të shtënave me armë zjarri mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku dhe disa pjesëtarë të Policisë mbetën të plagosur. Të shtënat me armë zjarri drejt Policisë gjatë gjithë ditës së djeshme vazhduan deri në arrestimin dhe vrasjen e disa terroristëve serbë, shkruan Periskopi.

E në lidhje me këto zhvillime ish-komandanti i UÇK-së, Ramë Buja në një prononcim për Periskopin vlerësoi lartë punën e Policisë së Kosovës, duke theksuar se ende duhet kujdes i shtuar pasi siç thotë ai “Serbia është e paparashikueshme”.

“Mirë që Policia e Kosovës është treguar mjaftë efektiv, shumë e kujdesshme dhe profesionale. Rreziku në atë pjesë nuk pushon kohë të gjatë dhe duhet të pasur shumë kujdes politika edhe veprimet policore, sepse ata janë të paparashikueshëm, është fjala për Serbinë sepse këtë gjë e bëri Serbia jo qytetarët asaj pjese siç tha Vuçiqi. Kështu që kujdesi me qenë gjithmonë i shtuar dhe vigjilenca në kulm… Kujdesi I politikës duhet të jetë në kulm që veprimet të bëhen racionale dhe të arsyeshme, ndërsa për pjesën e njerëzve të vrarë është për të ardhur keq, mirëpo ata që shkelin keq territorin që është sovran nuk kanë kah tjetër përveç fatit që pësuan të tre prej tyre”, tha Buja për Periskopin.

I pyetur për sasinë e madhe të armatimeve nga terrroristët serbë, Buja tha se të gjitha janë burim i Serbisë.

“Nuk ka burim tjetër, nuk ka shteg tjetër… të gjitha janë burim i Serbisë”, u shpreh ai.

Ish-komandanti i UÇK-së nuk la pa e komentuar edhe deklaratën e presidentit serb Aleksander Vuçiq, i cili gjatë konferencës mbrëmë bëri një krahasim banal duke e përmendur komandatin Adem Jasharin dhe ushtarët e UÇK-së.

“Asgjë nuk më befason. Ai ishte ministër i propagandës së Millosheviqit gjitha ato që i tha dëshmojnë që ai të paktën në njëfarë forme e pranon fajin”, shtoi Buja.

Kujtojmë se Presidentja Osmani ditën e sotme e ka shpallur ditë zie në nderim të policit të vrarë Afrim Bunjaku.

Varrimi i policit Afrim Bunjaku do të bëhet sot në ora 16:00./