VV e PDK përplasen për Projektligjin për pensionet e policëve

Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur sot në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes një projektligj, me të cilin parashihet pensionimi i zyrtarëve policorë.

“Do të rregullohen kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve”, theksoi deputetja e kësaj partie Ganimete Musliu.

U parapanë katër lloje të pensioneve, i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar.

Megjithatë, i njëjti nuk mori përkrahjen e deputetëve të VV-së, anëtarë të Komisionit.

Ata ani se potencuan që janë për Ligjin për pensionim të Policisë së Kosovës, thanë se presin që i njëjti të vie në Kuvend nga Qeveria.

“Deputetët e PDK-së fillimisht ta votojnë marrëveshjen ndërkombëtare për financimin e një projekti për skemat sociale dhe pensionale me çka do të hapej rruga edhe qeveria të fillojë këtë nismë për komplet skemat pensionale”, theksoi deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli.

Atij i replikoi Qalaj i PDK-së.

“Kolegu Enver nuk e di çka flet, ja fut kot, deputeti nuk vjen këtu me bë lojna, por propozojnë ligje”, ka thënë ai.

Përgjigje mori.

“E di çka po flas. Nuk themi që jemi kundër ligjit për pension të parakohshëm të Policisë së Kosovës”, është përgjigjur Dugolli.