VV-ja kushtëzon rikthimin në dialog me sanksione ndaj Serbisë

Lëvizja Vetëvendosje po kërkon sanksionimin e Serbisë para rifillimit të dialogut. Sipas partisë në pushtet, gjithçka çka është arritur në dialog, është vendosur në plan të dytë pas aktit të agresionit të Serbisë në Kosovë, më 24 shtator dhe se tani është e domosdoshme ofrimi i sigurisë për Kosovën.

Deputetja e LVV-së, njëherësh kryetare e Komisionit për punë të jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë se Serbia duhet të sanksionohet për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit.

“Para se t’i rikthehemi dialogut, është shumë e rëndësishme të qartësohen dy gjëra, që është të sigurohemi se s’ka ndonjë rrezik potencial për sulm potencial prej radhës së Serbisë. Këtë sigurisht mund të bëjmë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse brenda Republikës së Kosovës. Po kërkojmë siguri për Kosovën dhe në anën tjetër po kërkojmë sanksione për Serbinë. Besojmë fuqishëm që sidomos pas këtij akti terrorist të 24 shtatorit, Serbia duhet të sanksionohet për atë çka ka bërë në Banjskë të Zveçanit. Në fakt është dashur të sanksionohet në vazhdimësi për të gjithë qasjen që e ka treguar karshi marrëveshjes për normalizim”, thotë ajo.