“VV-ja s’do t’i arrijë as 30% në zgjedhje”, Haxhiu: PDK-ja garon për vendin e parë

Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pas krizës ekonomike, energjetike e pakënaqësive tjera të qytetarëve, deklaroi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Sipas tij, qeverisja Kurti erdhi në pushtet me shumë premtime të rrejshme dhe se për këtë, sipas tij, vendi tani po përballet me varfëri dhe probleme tjera.

“Nuk e besoj që qytetarët do t’ia jepin më një mundësi tjetër VV-së, pas gjithë mashtrimeve që ua ka bërë. Kjo është qeveria numër një, për premtimet e rrejshme që ua ka bërë qytetarëve”, deklaroi Haxhiu.

Por, ai ka përjashtuar mundësinë që partia në pushtet, Vetëvendosje të arrijë sërish të marrë përqindjen e fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, të 14 shkurtit.

“Koalicione të tilla mes AAK-së dhe Nisma-s, ka pasur edhe në të kaluarën. Është krejt e natyrshme që ata të përgatitën. E shoh si një vlerë më shumë në kuptimin e garës elektorale dhe mundësive që iu ofrojnë qytetarëve.”, tha Haxhiu tutje në Tëvë1.

Haxhiu në InfoNata në Tëvë1, tha se PDK-ja do të garojë e vetme dhe për vendin e parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që ato do të organizohen.

“Deri më tani kemi parë, shumë premtime dhe realizime aspak. PDK-ja në zgjedhje do të luftojë për vendin e parë. Do të hyjmë në zgjedhje me platformë të qartë e cila përgatitet nga ekspertët e partisë. Ne e kemi konsoliduar edhe kabinetin e “Qeverisjes së Mirë”, tha Haxhiu në InfoNata në Tëvë1.