VV mesazh të qartë LDK-së

Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth marrëveshjes së mundshme LVV-LDK për koalicion qeverisës.

Basha ka thënë se jo vetëm çështja e Presidentit, por edhe bordet e Agjencive shtetërore në varësi qeveritare, do të jenë të përfaqësuara nga profesionist që nuk do jenë të ngjyrosur politikisht nga asnjë subjekt.

“Me borde nuk do ketë pazar, as apetite, as ndarje politike. Ato në varësi shtetërore, rrjedhimisht qeveritare, do të jenë të përfaqësuara nga profesionist pa dallime partiake, nga cilado parti qofshin, të jenë profesionist. Ne të gjithë e kemi të qartë, besoj edhe LDK se populli me 6 tetor ka vendosur për ndryshim nga e kaluara, rrjedhimisht, ky ndryshim vije me profesionist, jo me ndarje kulaçi.

VV do të qeveris me parime, besojeni. 1 milion e 800 mijë qytetarë po presin ndryshimin e premtuar. Tani unë besoi se duhet të ketë reflektim”, deklaroi deputeti i LVV-së Basha për ‘RADIO 1’

Ndryshe deklarata e deputeti Basha vje pas deklarimeve nga disa burime të LVV-së këto ditë, se çështjen për ndarjen e kulaçit në borde të aseteve shoqërore, e ka paraqitur si interesim LDK-ja.

Më tej Basha ka komentuar edhe çështjen e presidentit, duke thënë se VV mbetet parimore, duke kërkuar president konsensual dhe duke rikujtuar se Thaçi për president e ka votuar vet LDK-ja dikur.

Duke komentuar deklarimet e mbrëmshme në media të ish-ministrit të brendshëm të LDK-së Skender Hyseni, Deputeti Basha ka thënë se i njëjti i takon të kaluarës dhe nuk është mirë të merret me komente.

“Hyseni i takon të kaluarës. Nuk është mirë të merret me këto tema. Ne po shohim përpara dhe jemi të interesuar ta implementojmë vullnetin e 6 tetorit”, tha Basha i VV-së.